23 Shkurt 2017, 10:58

Aktorja e “La Gaviota”-s bën jetë telenovelash, si u bë Zonja e Parë e Meksikës

XING

Me flokë kaçurrelë, me fustane linoje me fruda në ngjyrë të bardhë që ia linin supet zbuluar, me lëkurën e ngjyrosur nga dielli i Meksikës mes fushave me agavia, La Gaviota është një nga personazhet më të spikatur të telenovelave meksikane.

Ajo është interpretuar nga Angelica Rivera e cila, krahas aktorit Eduardo Yáñez, solli dhjetë vite më parë në ekran një nga ato historitë pasionante të dashurisë që frymëzojnë shpirtrat romantikë, por ajo që ka ndodhur me jetën e Angelica-s këto dhjetë vjet ka qenë edhe më dinamike sesa skenari i një telenovele.

 

Ajo u nda në vitin 2008 nga bashkëshorti i saj, producenti José Alberto Castro, me të cilin ka tri vajza: Angélica Sofía (e lindur në vitin 1996), Fernanda (lindur në 1999) dhe Regina (lindur në 2005).

 

Pas dy vitesh ajo u martua me Enrique Peña Nieto, në atë kohë Guvernator i Meksikës, tre vite më i madh sesa aktorja e njohur. Ai ka gjithashtu tre fëmijë nga martesa e tij e mëparshme. Disa ditë më vonë, modelja, këngëtarja dhe aktorja e telenovelave deklaroi që do të tërhiqej nga karriera artistike e nisur që kur ishte 17 vjeçe, për t’u fokusuar në "këtë përgjegjësi të madhe në krah të tij dhe përkushtuar shtëpisë sime dhe fëmijëve të mi", siç thoshte ajo në atë kohë.

 

Dy vjet më pas, në 30 mars, 2012, Peña Nieto nisi fushatën për president dhe bashkëshortja e shoqëroi kudo.

 

Aktualisht ajo ëshë Zonjë e Parë e Meksikës. Disa skandale për shpërdorime fondesh kanë shpërthyer, por ato janë përgënjeshtruar. Sigurisht, për presidentin meksikan, të ketë në krah një nga gratë simbol të vendit të tij, është avantazh në politikë.