19 Shkurt 2017, 20:50

Turi zbulon detajet e dasmës me Orindën dhe planet për fëmijë

XING

Turi zbulon detajet e dasmës me Orindën dhe planet për

Dasma e tyre po afron dhe ka filluar që tani të kuriozojë. Si do jetë, kur do zhvillohet ceremonia, si do jetë fustani? I ftuar në ekranin e IN, në emisionin “Tek unë” Turian Hyska ka folur ndër të tjera edhe për ceremoninë e martesës me të fejuarën e tij prej disa vitesh Orinda Hutën. Data e vendosur dihet tashmë, 7.07.2017, një numër fati. “Do jetë një ceremoni e stilit country, në natyrë, pranë një lumi, në një vend me shumë pemë. Do kemi rreth 300 të ftuar, miq dhe familjarë dhe unë dua që më shumë sesa dasmë të jetë një festë e gëzueshme”, tregoi Turi.

E meqë biseda e dasmës dhe e së ardhmes u hap, pasi rrëfeu se Orinda e ka marrë me shumë stres ceremoninë e tyre të dasmës, Turi tregoi edhe se do donte që ajo të mbante mbiemrin e tij. “Emrin artistik ajo do vazhdojë ta ketë Orinda Huta, por emrin mbiemrin zyrtar do doja të kishte timin. Pastaj nuk është se ndryshon shumë nga Huta në Hyska”. Dhe vazhdoi të flitej për martesën derisa biseda u ndal gjatë te planet për fëmijë. Turi dhe Orinda nuk qenkan aspak një çift i kohëve moderne, që mendohen mirë edhe para se të bëjnë një fëmijë të vetëm. Jo një, as dy, po tre deri në katër fëmijë janë në planet e tyre të afërta. Dhe në këtë pikë janë të dy në një mendje, kështu që Turit nuk do t’i duhet të negociojë gjatë me bashkëshorten e tij të ardhshme, për ta bindur që të mbushin një shtëpi plot me fëmijë. Vetëm se kur vjen puna tek ata, Turi i ka ca dëshira që lidhen me ngjashmërinë: “I pari duhet t’i ngjajë Orindës, nga sytë sidomos por edhe nga forma e kokës, sepse unë nuk kam kokë të bukur, kurse Orinda po”.

Ja ku i ka rrëfyer edhe planet për një familje të madhe Turi. Deri në korrik kanë ngelur edhe pak muaj. Turi dhe Orinda nuk na kanë dhënë sinjale se dasma e tyre do jetë e blinduar e se do mbahet larg syve kurreshtare të medias. Megjithatë duhet pritur. Asnjëherë s’i dihet. Deri atëherë ata do jenë duke u marrë me përgatitjet e ditës së madhe, që shijojnë po aq. (tiranapost)