19.06.2017 09:54

Terrorizon ish të dashurën dhe familjen e saj: Më kthe lekët dhe dhuratat...

Read in English

Terrorizon ish të dashurën dhe familjen e saj: Më kthe lekët dhe dhuratat...

 “Nëse vendos të ndahesh nga unë, duhet të më kthesh mbrapsht lekët dhe dhuratat që të kam dhënë sa ishim bashkë”. Përmes një kërkese të tillë, të shoqëruar me kërcënime verbale e deri në dhunë fizike, një 45-vjeçar ka “terrorizuar” për muaj me radhë ish të dashurën e tij.

Sipas “Panorama”, R. Sulejmani nuk ishte dakord për ndërprerjen e marrëdhënies së dashurisë, ndaj i ka kërkuar ish-partneres dhe familjarëve të saj fillimisht 1 milion lekë të rinj, ndërsa më pas 6 milionë.

Ngjarja ka ndodhur në janar të vitit 2017 në Tiranë, ndërsa gjykimi i 45-vjeçarit ka ndodhur pak ditë më parë.  I akuzuar për “përndjekje” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje”, Gjykata e Tiranës vendosi ta shpallë fajtor vetëm për akuzën e parë, me 5 muaj e 10 ditë burg.

Për akuzën tjetër çështja u pushua, pasi gjatë gjykimit ish e dashura e R. Sulejmanit nuk paraqiti kërkese për gjykim në lidhje me atë vepër.

HISTORIA

Vajza që ka ngritur akuzat ka rrëfyer në polici përndjekjen sistematike që i ishte bërë nga 45-vjeçari. Ajo ka treguar se është banore e Tiranës, është beqare dhe se punon në një kompani private.

Sipas “Panoramës”, vajza ka dëshmuar se 45- vjeçari me të cilin ka pasur një lidhje dashurie nuk ka qenë dakord që marrëdhënia e tyre të ndërpritej. Ndaj ai ka filluar të ushtrojë dhunë psikologjike ndaj saj dhe familjarëve.

Referuar kallëzimit, ai u ka thënë se nëse kallëzuesja vendoste që marrëdhënia e tyre të merrte fund, duhet t’i kthente shumën e lekëve dhe dhuratat që ai i kishte dhënë gjatë marrëdhënies mes tyre.

Në muajt e fundit para kallëzimit i pandehuri i ka shkuar disa herë në vendin e punës dhe e ka takuar kallëzuesen pa pëlqimin e saj.

Njëkohësisht ai i ka takuar të afërmit e saj, të cilët mes kërcënimeve u ka thënë se kallëzuesja duhet t’i kthente lekët dhe dhuratat. Referuar kallëzimit të cituar në vendimin e gjykatës, fillimisht i pandehuri i ka kërkuar shumën prej 1 milion lekë të rinj dhe me pas shumën prej 6 milionë lekë të rinj.

Veprimet përndjekëse të të pandehurit Sulejmani kanë kulmuar në javën e dytë të janarit, kur ai e ka sulmuar fizikisht ish-të dashurën e tij.

Ai ka shkuar në zyrën e punës së saj dhe pasi ka ushtruar dhunë psikologjike duke i kërkuar leket dhe dhuratat e dhëna duke përdorur zë të lartë, ka ushtruar dhune fizike në shkallët e pallatit ku ndodhej zyra e saj. Kallëzuesja ka pohuar se është gjuajtur me grushte dhe shkelma në kokë dhe në bark.