24 Mars 2017, 16:49

Gjyshja 92-vjeçare: Unë po vdes. Ju lutem ndihmojini mbesat e mia!

XING

Gjyshja 92-vjeçare: Unë po vdes. Ju lutem ndihmojini mbesat e mia!

Në emisionin ‘Me zemër të hapur’ një e moshuar 92-vjeçare ka prekur publikun me historinë dhe kërkesën e saj. Prej 20 vitesh ajo është e detyruar të jetojë me sëmundjen e dy fëmijëve, djalit dhe vajzës, të diagnostikuar me skizofreni ndërsa tani ka përgjegjësi edhe për tre mbesat Alma, Viola dhe Stelina Shallari.

Ndonëse gëzon shëndet të plotë mendor, e moshuara nuk mund të ndihmojë këto tre të fundit, të cilat janë detyruar të “harrojnë” fëmijërinë, dhe të kujdesen për babain dhe hallën e tyre. Ato janë detyruar t’i drejtohen emisionit në fjalë për të kërkuar ndihmë, pasi gjyshes së tyre iu hoq pensioni i kujdestarisë për fëmijët e saj prej 11 vitesh tashmë, për shkak të moshës. Tashmë Alma, Viola dhe Stelina Shallari nuk kanë mundësi financiare për të ndihmuar dy të sëmurët dhe gjyshen e moshuar.

Ndonëse babai dhe halla marrin pension invaliditeti, ai është i pamjaftueshëm për situatat me të cilat ato përballen çdo ditë, për ilaçet dhe kurimin e tyre. Përpos vajzave, ka folur edhe e moshuara duke thënë: “Jam 92 vjeç dhe kam një djalë dhe një vajzë të sëmurë. Ajo u nda nga burri dhe është me kemp. Unë nuk e ndihmoj dot, se jam plakë, po vdes. Ju lutem më ndihmoni”, thotë e ajo me zërin që i dridhet.

Sipas Almës, mbesës së dytë të 92-vjeçare, halla është në gjendje më të renduar, ajo nuk pi as ilaçet, kur bëhet keq kanë vështirësi për ta marr e për ta çuar deri në spitalin e Vlorës, pasi janë në vështirësi të mëdha financiare. Alma vetë është martuar me mblesëri në moshën 16-vjeçare për t’u shkëputur nga ai realitet i vështirë. Ajo sot është nëna e një vajze të vogël 1-vjeçare me emrin Denisa.

Ajo ka 2 motra Violën 14-vjeçare dhe Stelina Shallarin, 17 vjeç e cila është autike.

Aktualisht edhe Alma ka shkuar dhe banon pranë tyre, ka lënë shtëpinë dhe punën e saj për shkak se nuk mund të kujdeset askush tjetër për ta. Motrën autike e çojnë pranë një qendre në Fier dhe ajo ka nevoje për shoqërues, dhe mbi të gjitha për para edhe për transportin.

Shqetësimi më i madh janë dy motrat për të cilat ajo dëshiron të kujdeset dhe t’i kalojë në kujdestari. Por deri më tani kjo ka qenë e pamundur. Alma nuk dëshiron që ato të vazhdojnë të jetojnë në familje me persona agresivë, të dhunshëm, dhe të sëmurë.

Vetë Alma e braktisi shkollën dhe u martua për një jetë më të mirë, por asgjë nuk shkoi siç e priste. Bashkëshorti punon kur gjen në Fier, por nuk ka punë të përhershme dhe jetojnë në varfëri. Ajo kërkon ndihmë për veten dhe motrat e saj.


ASAsa by newsal