23 Mars 2017, 00:15

Zbulohet aventura e dashurisë së ish-ministrit shqiptar me një bjonde

XING

Politikani shqiptar, e njëkohësisht ish-ministri shqiptar i Drejtësisë ka shijuar romancën me një bjonde. Lidhja që ka nisur në vitin 2006 ka qenë një ndër më të komentuara të kohës, ndërsa bëri bujë edhe në qarqet politike. Këtë histori dashurie të ish-ministrit me vajzën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali, e ka risjellë në vëmendje “GSH.al”, duke publikuar pas 10 vitesh shkrimin e titulluar asokohe “Shpëtoni ministrin Aldo Bumçi”. Megjithatë, Bumçi me siguri nuk ka pasur nevojë për ndihmë...

Artikulli i plotë

Shpëtoni ministrin Aldo Bumçi

Në këtë sezon nuk ka zgjedhje tjetër më ideale, se një fundjavë energjike në dallgët e Jonit. Kjo recetë vlen edhe për kabinetin e lodhur të Kryeministrit Berisha. Ashtu sikundër disa ministra braktisin në fundjavë skrivanitë e punës për pak relaks në det, edhe ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi ka bërë të njëjtën gjë. Veçse, ndryshe nga ata që preferojnë të nisen në det ngarkuar me detyra familjare, si beqar që është, ministri është shoqëruar nga mikesha e tij. Bëhet fjalë për Ildën, bjondinën bukuroshe, një nga dy vajzat binjake të ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali. Të lodhur nga qëmtimet e vendeve diskrete në kryeqytet, në fundjavë ata ndalën frymën në det, së bashku me një tjetër çift, ndër të paktën që e njohin lidhjen e tyre sekrete. Aty nga ora njëmbëdhjetë e së dielës, dy çiftet shkelën rërën e nxehtë në plazhin e Drimadhës, në Dhërmi. Tre të parët gjithkujt mund t’i jenë dukur të zakonshëm, por i katërti, ai me pantallona të shkrutra bojëqielli dhe syze të errëta, nuk mund t’i shpëtonte syve të kureshtarëve. Ishte ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe ndryshe nga të tjerë pushues VIP që ndalën frymën në lokalin aty pranë, ministri ka preferuar të akomodohet drejt në shezlon.

Në det

Mikeshës së ministrit Bumçi i ka ardhur në majë të hundës vapa përvëlonjëse dhe e para ka marrë për nga deti. Edhe ministri me përtim ka ecur në gjurmët e bjondinës çapkëne, e cila e ka ftuar drejt ujërave të kripur të Jonit. Aty do të niste aventura. Bumçi ka tentuar ta ndjekë nga pas dallgën e vockël të pllaq-plluqeve që ka lënë mikesha e tij, për t’u afruar sa më afër. Është shytur thellë, por kur ka nxjerrë kokën nga uji dhe ka tentuar të fshijë sytë për t’i shpëtuar efektit djegës të kripës, ka ngecur. Sa hap e mbyll sytë është gjendur sërish në ujë. Dy duar të bëra njësh e kanë shtyrë thellë. Aty përzjerë mish e ujë, ministri ka tentuar të nxjerrë kokën, por është gjendur në një kurth shtrëngim-zhytje të fortë. As që dyshoi se kjo ishte një lojë e Ildës, mikeshës që e kishte shoqëruar drejt një aventure verore në det. Ekzaltimi i lojës së mikeshës vazhdoi aq shumë, sa ministrit të Drejtësisë ky veprim ju duk paksa i padrejtë, prandaj për t’i shpëtuar “shtrëngimit” ka pluskuar mbi ujë për disa sekonda. Tanimë ishte i lirë dhe koka e tij kishte dalë në sipërfaqen e ujit, pak metra larg vendit të incidentit. Fërkoi sytë dhe u kollit fort. Pas përthyerjes së rrezeve të forta të diellit, kishte parë Ildën dhe buzëqeshjen e saj. Vajza bjonde si për të kërkuar falje pas një seanse noti disa metërshe, i afrohet ministrit për t’i dhuruar një puthje. Ishte ndjesa për lojën që i kushtoi ministrit ca gllënka ujë të kripur. Edhe ai e puthi, për të pranuar se ishte veçse një lojë. Paskëtaj, të dy së bashku kanë çtendosur muskujt në ujin e kripur me të tjera argëtime dhe aventura detare, për të treguar se në çift edhe lojërat e tilla me rrezik janë të pranueshme.

 

Për pak relaks ministror

Edhe pse dy çiftet paguan vetëm dy çadra për të ndarë secili nga pak vend, ministri Bumçi ka qenë më i privilegjuari. Ai ka lexuar për pak kohë deri në nxehjen e rradhës së lekurës një libër, jo shumë voluminoz. Ishte KODI. Nuk bëhet fjalë për bestsellerin e Dan Brown, por për Kodi i Procedurës Penale. Një manual që duket se për ministrin duhet të ketë qenë i vlefshëm, pasi interesi për librin që mbante në dorë ka zgjatur më shumë se loja me tavëll, që tre miqtë e tjerë kishin preferuar në piskun e vapës. (Ky shkrim u botua më 26 Gusht 2006 në GSH).