22 Mars 2017, 20:59

Silva: Që të pasurohesh duhet të shesësh drogë

XING

Dashuria e tyre që lindi gjatë bashkëpunimit të superhit-it “Të ka lali shpirt” është nga ato lidhje që të gjithë e dëshirojnë t‘u ndodhë në jetë. Këngëtarja mjaft e pëlqyer nga publiku, Silva Gunbardhi dhe partneri i saj, po këngëtar, Dafi Derti, tani janë prindër të një djali dhe nuk e fshehin që ndihen të dashuruar si ditën e parë. Reperi e quan “drita e syve të mi”, këngëtaren që sapo ka kaluar me sukses operacionin në sy. E lumtur që gjithçka shkoi mirë, Silva vendosi të bënte bamirësi me paratë e operacionit, duke zgjedhur të ndihmojë një fëmijë të vogël sa djali i saj. Për jetën e një artisteje që u komentua më shumë se çdo këngëtar tjetër për fitimet nga kënga “Të ka lali shpirt”, dashurinë dhe jetën e re pas ardhjes në jetë të Dalvit që ende s’i ka bërë 2 vjeç, Silva Gunbardhi rrëfehet pwr “Story” në këtë intervistë të sinqertë.

Je e famshme si këngëtarja e “Të ka lali shpirt”, me e klikuara e të gjitha kohërave në muzikën shqiptare. E vërtetë që tani je e pasur pas atij suksesi?

Jo, s’është aspak e vërtetë dhe këtë e tregon fakti që kisha 10 vite që mbaja lente në sy, dhe për shtatë vite as një vizitë nuk kisha bërë e jo më operacion. Arsyeja? Po ja, unë punë të reduktuar, Dafi student, djali ynë Dalvi vetëm shpenzime, imagjinojeni vetë! Por më në fund më ndihmoi puna me koncertet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kështu vendosa të bëja ndërhyrjen në sy, që për fat shkoi shumë mirë!

Mund të zbuloni fitimet me “Të ka lali shpirt”?

(Qesh) Nëse do mund të shihni vetë dërgesat e mia mujore në bankë, nuk do u besoni syve. Po të isha e pasur unë nuk do ta lija për tani operacionin tim. Po të isha e pasur do të bëja pushime… Shikojeni wall-in tim të Facebook-ut, ku dal në foto vetëm për punë. Do të vishesha ndryshe. Do të ndihmoja njerëzit e afërt, etj.

Partneri yt Dafi është po ashtu pjesë e tregut muzikor si reper. Në cilën degë po i ndjek ai studimet e larta?

Ai ndjek studimet e larta për Shkenca Politike në një universitet privat në Tiranë, ku është me bursë. Po natyrisht që të ndjekësh studimet me kohë të plotë kërkon impenjim, pasi ai shkon çdo ditë në leksione dhe në organizimet e tjera që bën universiteti. Pra nuk e humb shansin që i është ofruar.

Ndërkaq para një javë disa këngëtarë u ndaluan të jepnin koncertet e tyre në clube, pasi u duhet të pajisen me nipt biznesi. Ti e ke nxjerrë një të tillë?

Ju po flisni me këngëtaren e parë në vend që ka një nipt. E kam nxjerrë që vitin e kaluar, sepse e dija që do të vinte koha e çmendurisë dhe e bëra për pensionin tim. Kështu që unë i paguaj taksa shtetit dhe sigurime vullnetare. Fitoj, s’fitoj pagesat bëhen çdo muaj. Por ka një problem në këtë…

Cili është problemi?

Po ja, mirë kur merret pagesa, po kur nuk paguhemi?! Sepse midis organizatorëve të koncerteve ka dhe njerëz jo korrektë. Përpos faktit që shteti na taton, por nuk na mbron nga organizatorët e papërgjegjshëm, çmimet e larta të studiove realizuese, dhe nga transmetimet radio-televizive, ku unë nuk kam marr kokërr leku. Si është puna? Hajde vjelim? Kush i ka llogaritur milionat e shpenzimeve për realizimin e audios dhe videos? Për të mos përmendur pastaj aspektin njerëzor, hallet, problemet se edhe ato nuk i interesojnë shtetit.

Disa këngëtarë thonë se janë pasuruar nga muzika, dhe tani kanë një standard tjetër jetese. Është e mundur kjo në industrinë e muzikës shqiptare?

Nuk e di, pasi unë bëj vetëm llogarinë time, jo të të tjerëve…. Në Shqipëri që të të dalin paratë duhet të shesësh drogë, gjë që unë s’e bëj. Pra dua të them që kush nuk i bën këto sheh çmimet dhe mban shënim shpenzimet. Unë kam miq që kanë biznese, dhe kur vjen puna  mbeten pa kesh, sepse i investojnë. Kështu që kuptohen vetë gjërat…