2 Mars 2017, 12:10

Hetimi për kanabis, shpallet në kërkim shefi i rendit në Kurbin

XING

Shefi i rendit në Komisariatin e Kurbinit, Ylli Vata, është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka bashkëpunuar për të favorizuar parcelat me kanabis, të cilat ishin mbjellë në zonën e Malësisë së Kurbinit me qëllim trafikimin drejt Italisë. Grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga biznesmeni Lefter Nelaj, i arrestuar në nëntor të vitit të shkuar. Prokuroria tha se ky i fundit kishte krijuar një mekanizëm, i cili bënte të mundur dhe krijonte të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e Malësisë së Kurbinit. Ndërkohë, shefi i rendit në Komisariatin e Kurbinit kishte dhënë garancinë se nuk do të cënohej.

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi se Ylli Vata si drejtues i grupit të kontrollit nuk kryente detyrën e asgjësimit të parcelave me kanabis. Një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar. Ndërkohë biznesmeni kishte siguruar edhe rrugën për trafikimin e saj drejt Italisë.

Ditën kur ndaj tij është marrë masa e arrestit në mungesë, 13 shkurt, ai nuk është paraqitur as në detyrë. Prokuroria sqaron: “Vendimi i gjykatës ende nuk është zbatuar pasi i dyshuari nuk është paraqitur në punë që prej ditës kur ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg””.

Emri i shefit të rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur në korrik 2015 nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në nëntor 2016, u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie. Akuzat qe rendojne mbi Shefin e Rendit te Kurbinit jane:

-“Kultivim i lëndëve narkotike”,

-Grup i strukturuar kriminal”

– Kryerje e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal/ Blitz.al