28 Shkurt 2017, 10:47

Dj i famshëm zgjedh vetëvrasjen me asistimin e mjekëve, plas debati

XING

Ka shkaktuar një debat të madh mediatik e politik në Itali zgjedhja e rrugës së eutanazisë (vetëvrasje e asistuar nga mjekët) i Dj të suksesshëm Fabiano Antoniani 39 vjeç nga qyteti i Milanos. DJ-i italian me ndihmën e një organizate joqeveritare ka zgjedhur të udhëtojë drejt Zvicrës për të praktikuar eutanazinë dhe paraditen e sotme ka ndërruar jetë.

Për shkak të një aksidenti rrugor, në qershor të 2014, Fabiano Antoniani kishte mbetur i verbër e tetraplegjik. Për tre vjet rresht e pas shumë tentativash me terapi të pasuksesshme rehabilituese, DJ italian jetonte i paralizuar në shtrat, i ndihmuar për të marrë frymë e për t’u ushqyer me anë të aparateve mjekësore. Fabiano Antoniani, i ndihmuar nga e fejuara e tij i kishte shkruar letër Parlamentit italian e së fundmi dhe vetë Presidentit të Republikës Sergio Mattarella që ta lejonin të vdiste.

Në Itali është i ndaluar praktikimi i eutanazisë e me kërkesën e mjaft shoqatave e organizatave qeveritare 6 dekrete ligjesh janë prezantuar në Parlamentin italian, por ende janë të bllokuar në Komisionet Parlamentare. Në llogaritë e rrjeteve sociale, Dj Fabiano me anë të së fejuarës së tij shprehej se ”Jam i bllokuar në shtrat, nuk shoh, nuk lëviz, ndjehem si në kafaz. Dua të vdes e t’i jap fund këtij ferri dhimbjesh, dhimbjesh e dhimbjesh”.

Me ndihmën e shoqatës ‘Luca Coscioni’, me seli në Romë, e cila promovon të drejtën e zgjedhjes së jetës për personat me sëmundje të pakurueshme si dhe të drejtën e aplikimit të testamentit biologjik, DJ italian ka udhëtuar dje drejt Zvicrës duke realizuar dëshirën e tij për t’i dhënë fund jetës, shkruan Ora News.

Italiani 39-vjeçar ka ndërruar jetë paraditen e sotme në Zvicër duke realizuar dëshirën e tij.

Një debat të tillë mediatik ka shkaktuar rreth 10 vite më parë në Itali dhe rasti i gazetarit Piergiorgo Welby, i cili vuante nga distrofia muskulare, e që zgjodhi rrugën e eutanazisë.