27 Shkurt 2017, 21:00

Historia e dhimbshme e Gerta Hetës, moderatorja: Për një vit nuk i shkova te varri vajzës sime

XING

Moderatorja e njohur Gerta Heta, prej 7-vjetësh jeton një dashuri të lumtur me bashkëshortin e saj Matko dhe me dy vajzat, Luna, tani pothuaj 6-vjeçare, dhe Matea, një vjeç e gjysmë. Humbjen e binjakes së Mateas, Gerta e ka treguar edhe më herët për publikun, duke rrëfyer brengën e saj të madhe si nënë, por edhe forcën që gjeti brenda vetes për të luftuar për Matean, e cila ia doli që sot të jetë një vogëlushe shëndetplotë.

Megjithatë, si për Gertën, edhe për Matkon dhe gjithë familjen e tyre, ato dy muaj nuk ishin aspak të lehtë: “Nuk përshkruhet me fjalë..” – thotë Gerta me dhimbjen prej nëne, e cila ka mbetur aty, pa ndryshuar, edhe pse ajo i ka gjetur forcat për dy vajzat që rriten dita-ditës.

E ftuar pasditen e sotme në programin “Rudina”, së bashku me bashkëshortin e saj Matko, Gerta ka rrëfyer më shumë për marrëdhënien e tyre 7-vjeçare, për dhuratën që Zoti u solli pas një viti, Lunën, për Matean e vogël, por edhe për binjaken, e cila sot është engjëlli mbrojtës i motrës së saj: “Eshtë fundi i botës, është shumë e vështirë dhe kjo as që mund të përshkruhet me fjalë….” – kujton moderatorja për momentin pasi iu komunikua se njëra prej vajzave nuk kishte mundur të mbijetonte.

Megjithatë, duhet të gjente forcën për Matean: “Gjatë kohës që isha shtatzënë me binjaket isha tip që lexoja, kisha lexuar shumë…. Në atë periudhë, unë ndërpreva leximet dhe prisja mrekullinë. Nuk kisha asgjë çfarë të bëja në ato momente dhe gjithçka e lashë në dorë të Zotit për dy muajt që qëndrova në spital. E vetmja gjë që bëja me shumë dashuri ishte mbajtja e kangurit, ato ushtrimet duke mbajtur bebet që i bënim dy herë në ditë. Jetoja vetëm me momentet e kangurit… duke shpresuar. Dhe, falë Zotit, Matea sot është mirë.”

Jo pak, por një vit plot që dhimbja ishte e madhe dhe nuk mund të kalonte lehtë. Gerta tregon se as te varri i vogëlushes nuk kishte mundur të shkonte për një vit: “Për një vit nuk gjeja forcën t’i shkoja dot te varri, nuk mund të shkoja. Unë nuk isha as kur u varros, sepse isha në spital dhe as për një vit nuk shkova dot. Vetëm qaja çdo ditë. Pas një viti, gjeta forcën të shkoja dhe kam qarë me dënesë. Kisha një vit që qaja çdo ditë… Dhe pas asaj dite, u bëra më mirë, e ndjeva veten më lehtë…”

“Por unë duhet të gjej forcën për dy vajzat e tjera. Jeta vazhdon për të gjithë, dhimbja e nënës mbetet aty” – e mbyll rrëfimin e saj Gerta, e bindur se Matea ka një engjëll mbrojtës në çdo hap të jetës së saj. (Class)