‘Ti je vetëm e imja’: I riu qëllon me Kallashnikov kushërirën 14-vjeçare

Xing

E Premte 12 Janar 2018, 17:05 / Kategoria Lajmet e fundit

Një i ri 22-vjeçar, i quajtur Bajram Krasniqi, është vënë në pranga së fundmi nga policia e Lushnjes pasi dy ditë më parë, në fshatin Babunjë të Divjakës, ai ka qëlluar me armë zjarri tip Kallashnikov drejt një vajze 14-vjeçare me të cilën ishte dashuruar. E mitura ka mundur t’i shpëtojë plumbave dhe nga ngjarja nuk ka asnjë të lënduar.

Së fundmi, është bërë e ditur se Krasniqi, me origjinë nga Kosova, kishte lidhje gjaku me 14-vjeçaren, e cila është kushërira e tij e dytë. Mësohet se pavarësisht lidhjes së gjakut, 22-vjeçari kishte nisur ta ngacmonte kushërirën dhe të komunikonin së bashku. Një gjë e tillë mesa duket është nuhatur nga prindërit e së miturës të cilët kanë vendosur ta fejojnë atë me një djalë tjetër. Kjo thuhet ta ketë tërbuar Krasniqin, i cili mësohet t’i ketë thënë vajzës: “Ti je vetëm e imja, s’ke për t’u fejuar me tjetër njeri!”

Ai ka vijuar ta përndjekë 14-vjeçaren dhe pasi ajo i ka kërkuar ta lërë të qetë pasi prindërit e kishin fejuar, Bajram Krasniqi ka vendosur të zbatojë planin e tij të hakmarrjes.

Më 10 janar, ai ka pritur që vajza të dalë nga shkolla në qendër të fshatit dhe i ka bërë asaj pritë. Krasniqi ka hapur zjarr 3 herë në drejtim të saj, por 14-vjeçarja ka mundur të shpëtojë pa dëmtime.

Pavarësisht përpjekjeve për t’u fshehur, 22-vjeçari është arrestuar nga uniformat blu të Lushnjes dhe mbi të rëndojnë akuzat e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Burimi: Balkanweb

Këshilla për Marketingun
.